Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se arrestimi i Ilir Metës përbën një rrëmbim të mirëfilltë dhe një krim shtetëror të pazbardhur, i konfirmuar sipas tij edhe nga vendimi i gjykatës.
Blushi theksoi se kanë kaluar 15 muaj nga ngjarja dhe ende nuk ka asnjë hetim administrativ apo penal, asnjë përgjegjës të identifikuar dhe asnjë transparencë nga institucionet e drejtësisë. Sipas tij, kjo heshtje është e qëllimshme, pasi zbardhja e plotë e çështjes do të ekspozonte kriminalizimin e shtetit.
Ai deklaroi se më 21 tetor 2024, Ilir Meta u ndalua me dhunë nga persona të maskuar dhe të armatosur, pa uniformë policie, pa dokumente identifikimi dhe pa vendim gjykate. Sipas Blushit, për rreth dy orë Meta është mbajtur peng, pa iu komunikuar asnjë bazë ligjore dhe pa praninë e avokatit.
Blushi nënvizoi se vendimi gjyqësor fakton se masa e sigurisë iu komunikua Metës disa orë pas ndalimit, çka sipas tij provon se nuk kemi të bëjmë me arrestim ligjor, por me rrëmbim. Ai shtoi se edhe drejtuesi i automjetit ku ndodhej Meta u privua nga liria pa asnjë urdhër ndalimi.
Sipas Partisë së Lirisë, mungesa e dokumentacionit zyrtar për momentin e ndalimit, si dhe zhdukja e provave, përbëjnë elementë të rëndë të një krimi shtetëror. Blushi akuzoi institucionet e drejtësisë për bashkëfajësi dhe për moshetim të kallëzimeve të depozituara.
Në deklaratën e tij, Blushi e cilësoi ngjarjen si akt terrori shtetëror, duke shtuar se rrëmbimi i Metës kishte për qëllim intimidimin e opozitës dhe ndikimin në proceset zgjedhore. Ai paralajmëroi se çdo ditë pa zbardhje e kësaj çështjeje e bën drejtësinë bashkëautore në krim.
Partia e Lirisë i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë urgjentisht dhe të identifikojë personat përgjegjës për atë që e cilëson si një nga aktet më të rënda kundër shtetit të së drejtës në Shqipëri.
