“Ka vetëm një rrugë: protesta” – Salianji nga Elbasani: Më 22 dhjetor gjithë opozita në shesh për t’i dhënë mesazh qeverisë

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar pasditen e sotme takimet me demokratët në Elbasan, duke bërë thirrje për mobilizim masiv në protestën e 22 dhjetorit përpara Kryeministrisë në Tiranë.

Në fjalën e tij, Salianji u shpreh se përballë një sistemi shtetëror të rrënuar nga interesi personal i kryeministrit, opozita ka vetëm një rrugë: protestën.

“Kur i gjithë sistemi shtetëror është i rrënuar nga interesi personal i kryeministrit, ka vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta. Më 22 dhjetor, e gjithë energjia e Elbasanit duhet të përplaset në dyert e Kryeministrisë”, deklaroi Salianji.

Ai ftoi jo vetëm demokratët e këtij qarku, por të gjithë popullin opozitar, që të bashkohet në këtë protestë për të dhënë një mesazh të qartë kundër qeverisë.

Salianji theksoi se Partia Demokratike po dëgjon çdo zë nga baza dhe nuk po neglizhon asnjë demokrat, ndërsa shtoi se qindra mbështetës kërkojnë dialog dhe përfshirje reale në vendimmarrje.

Duke bërë një paralelizëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Salianji u shpreh se Shqipëria ka ende nevojë për një përballje të vërtetë me të shkuarën komuniste.

“Presidenti Trump shpalli 2–8 dhjetor si javën antikomuniste, ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi një datë zyrtare për të kujtuar viktimat e komunizmit. Një shoqëri që nuk përballet me të shkuarën, e përsërit atë”, u shpreh ai.

Sipas Salianjit, mentaliteti i një shteti që grabit pronën, përçmon familjen dhe nuk respekton lirinë individuale është ende i pranishëm, ndaj protesta kombëtare e 22 dhjetorit duhet të shërbejë si një zgjim i madh për gjithë opozitën.

“Kjo protestë duhet të jetë një mesazh i qartë për një qeveri që nuk njeh pronën, nuk respekton familjen dhe nuk mbron lirinë individuale”, përfundoi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related