Kaos total për të tretën ditë radhazi! Aksi Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tiranë i paralizuar, qytetarët të bllokuar me orë të tëra

Data

Për të tretën ditë radhazi, aksi kombëtar Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë është kthyer në një ferr të vërtetë trafiku, duke paralizuar qarkullimin dhe duke lënë mijëra qytetarë të bllokuar për orë të tëra në rrugë.

Fluksi i lartë i automjeteve në të dy kahet, i kombinuar me infrastrukturë të amortizuar dhe punime të zvarritura, ka sjellë një situatë kaotike që po përsëritet çdo ditë, pa asnjë zgjidhje konkrete nga autoritetet përgjegjëse.

Edhe pse Policia Rrugore raportohet se është e pranishme në terren, trafiku mbetet jashtë kontrollit, ndërsa drejtuesit e mjeteve përballen me ndalesa të shpeshta, radhë kilometrike dhe vonesa të pajustifikueshme. Segmentet ku po kryhen punime për zgjerimin e rrugës, pjesë e Koridorit Tetë, janë kthyer në pika kritike që bllokojnë gjithë aksin.

Situata bëhet edhe më alarmante në zonat e Kthesave të Murrashit dhe Kthesave të Dragostunjës, ku rruga është e dëmtuar rëndë, me gropa të shumta dhe segmente të rrezikshme, që jo vetëm ngadalësojnë qarkullimin, por rrezikojnë seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës.

Qytetarët shprehen të revoltuar për mungesën e zgjidhjeve dhe planifikimit, ndërsa autoritetet kufizohen vetëm me apele për kujdes, pa ofruar alternativa reale apo menaxhim efikas të situatës.

Sipas burimeve nga terreni, kaosi pritet të vijojë edhe në orët në vijim, duke e kthyer këtë aks jetik në një nyje të bllokuar, simbol të dështimit të menaxhimit të infrastrukturës dhe trafikut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related