Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja përpara Kryeministrisë mbrëmjen e sotme, paralajmëroi një përshkallëzim të fortë të protestave kundër qeverisë, duke e cilësuar datën 22 dhjetor si nisjen e një proteste të përgjithshme kombëtare.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin dhe zv/kryeministren për abuzime masive financiare dhe kapje të institucioneve shtetërore, duke theksuar se, sipas tij, vjedhjet po kryhen çdo ditë nën mbrojtjen e pushtetit dhe drejtësisë së kapur.
“Rrugët e Tiranës më 22 dhjetor do të ushtojnë me një zë: largohu hajdut, se koha jote ka marrë fund”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita do të ndërtojë frontin më të gjerë të mundshëm qytetar për këtë betejë.
Kreu i PD-së bëri thirrje për mobilizim të menjëhershëm duke nisur nga dita e hënë, me qëllim sensibilizimin dhe organizimin e qytetarëve për protestën, të cilën e cilësoi si vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Koha është e guximtarëve. Nga e hëna deri të hënën tjetër duhet të bëjmë gjithçka për të mbledhur njerëz të vendosur, sepse kjo betejë fitohet vetëm me guxim”, tha ai.
Berisha deklaroi se protesta synon jo vetëm një tubim simbolik, por zënien e sheshit për një periudhë trejavore, deri në largimin e kryeministrit nga pushteti.
“Zënia për tre javë e këtij sheshi është forma më e fuqishme e qëndresës. Këtu duhet të betohemi për të shpëtuar familjet tona, të ardhmen tonë dhe Shqipërinë”, u shpreh ai para mbështetësve.
Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e policisë, administratës dhe krimit të organizuar për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, por theksoi se tani, sipas tij, “vota është në rrugë dhe në sheshe”.
“Miliardat, policia politike dhe krimi e shndërruan votën në farsë. Tani ne jemi vota, ne jemi guximi dhe forca”, deklaroi Berisha.
Në fund të fjalës së tij, ai paralajmëroi se qeveria nuk ka përjetuar ende reagimin e vërtetë qytetar.
“I them frikacakut se s’ka parë asgjë ende. Nëse i ka marrë shqiptarët për frikacakë, ka gabuar rëndë. Koha jonë ka ardhur dhe fitorja është e pashmangshme”, përfundoi Berisha.
