Skënder Hita ultimatum Policisë në Kukës e Dibër: Goditje zhurmave, parkimeve të paligjshme, zjarrvënieve dhe rritje sigurie për turistët

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me strukturat policore në Kukës dhe Dibër, ku në fokus kanë qenë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike përpara nisjes së sezonit turistik.

Gjatë takimeve me drejtuesit vendorë të Policisë dhe strukturat kufitare, Hita kërkoi disiplinë në punë, reagim të shpejtë ndaj problematikave dhe rritje të performancës së shërbimeve në terren.

Një nga prioritetet kryesore të vendosura nga kreu i Policisë ishte siguria rrugore dhe goditja e shkeljeve që shqetësojnë qytetarët, sidomos në zonat urbane.

Ai kërkoi tolerancë zero ndaj:

  • parkimeve mbi trotuare dhe në vijat e bardha,
  • parkimeve dyshe dhe treshe,
  • manovrave të rrezikshme në rrugë,
  • xhirimeve të gomave,
  • si dhe zhurmave të shkaktuara nga marmitat e modifikuara të automjeteve.

Sipas tij, këto fenomene janë kthyer në shqetësim serioz për qytetarët dhe duhet të ndëshkohen me masa të forta.

Hita kërkoi gjithashtu monitorim intensiv të akseve kombëtare me mjete inteligjente, duke shmangur kontaktin e panevojshëm të policëve rrugorë me drejtuesit e mjeteve dhe duke përdorur teknologjinë për evidentimin e shkeljeve.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe siguria në shkolla deri në përfundim të vitit shkollor, ku drejtori i Policisë kërkoi prezencë më të shtuar të patrullave dhe agjentëve të Policisë Kriminale pranë ambienteve shkollore për të parandaluar shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe aktivitetet kriminale.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte parandalimi i zjarrvënieve gjatë sezonit veror. Hita kërkoi bashkëpunim me administratorët lokalë dhe monitorim të personave që kanë shkaktuar zjarre në vitet e kaluara.

“Fillon vera dhe bashkë me të fillojnë zjarret”, mësohet të ketë deklaruar ai gjatë takimeve.

Kreu i Policisë kërkoi gjithashtu më shumë vigjilencë për goditjen e:

  • armëmbajtjes pa leje,
  • kultivimit të bimëve narkotike,
  • lojërave të fatit,
  • krimeve ekonomike,
  • trafiqeve të paligjshme,
  • dhe krimeve kufitare.

Në përfundim, Hita deklaroi se do të mbështesë çdo punonjës të ndershëm të Policisë, por paralajmëroi masa të ashpra ndaj kujtdo që abuzon me detyrën dhe besimin e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related