Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga protesta e opozitës përpara Kryeministrisë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku përbën, sipas tij, një “licencë për vjedhje” të dhënë kryeministrit Edi Rama.
Berisha theksoi se në çdo vend demokratik, përgjegjësia politike do të kërkonte dorëheqje ose shkarkime, ndërsa sipas tij, Rama ka zgjedhur të veprojë në të kundërtën.
“Në çdo vend të botës, dorëheqja është akti i parë i njerëzve të përgjegjshëm. Ky jo vetëm që nuk jep dorëheqjen vetë dhe nuk shkarkon askënd, por me urdhër mori nga Gjykata Kushtetuese licencën për të vjedhur publikisht, pa asnjë përgjegjësi para ligjit, drejtësisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi të papranueshme drejtimin e vendit nga një kryeministër që, sipas tij, është i përfshirë në skandale të rënda korrupsioni dhe që mbron zyrtarë të akuzuar nga drejtësia.
“Nuk e pranojmë kurrë një kryeministër të tillë”, theksoi kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe te akuzat për abuzime financiare, duke deklaruar se vetëm gjatë ditëve të fundit, sipas tij, përmes një tenderi janë përvetësuar rreth 50 milionë euro.
“Vetëm në 10 ditët e fundit, sipas mesazheve që kemi marrë, bashkë me zv/kryeministren janë vjedhur 50 milionë euro me një tender të vetëm”, tha ai.
Kreu i PD-së bëri të ditur se Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë zhvilluar mbledhje të posaçme, nga të cilat ka dalë një vendim i përbashkët për vijimin e protestave.
“Ka një vendim solemn nga forumet e PD-së: rrugë tjetër përveç protestës, përballjes dhe rezistencës nuk ka dhe nuk mund të ketë”, deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë për manipulim të zgjedhjeve, blerje vote dhe bashkëpunim me grupe kriminale, duke theksuar se opozita nuk do të ndalet derisa, sipas tij, të largohet ajo që e cilëson si një regjim antidemokratik.
