Sekretariati i Etikës ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga punimet e Kuvendit për një periudhë 30-ditore.
Kërkesa e PD-së lidhej me deklaratat e Ballës gjatë seancës plenare të 11 dhjetorit, ku sipas opozitës ai përdori gjuhë fyese dhe joparlamentare ndaj deputetëve të opozitës. PD argumentoi se këto deklarata përbëjnë shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit, të cilat ndalojnë përdorimin e gjuhës ofenduese, diskriminuese apo denigruese në sallën e parlamentit.
Në kërkesë theksohej gjithashtu se drejtuesi i seancës nuk ndërhyri për të marrë masa disiplinore në momentin e përdorimit të kësaj gjuhe, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen e Sekretariatit të Etikës.
Megjithatë, Sekretariati i Etikës vendosi të mos marrë masa disiplinore ndaj Ballës, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për përjashtimin e tij nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare.
Vendimi ka nxitur reagime nga radhët e opozitës, e cila e konsideron këtë një standard të dyfishtë në trajtimin e shkeljeve të etikës parlamentare, ndërsa mazhoranca nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi arsyetimin e plotë të këtij vendimi.
