Përgjimet që fundosin grupin e “Rrajave”: Nga takimet me djalin e deputetit te trafiku i 475 kg kokainë nga Ekuadori

Data

Detaje tronditëse dalin nga dosja hetimore e një grupi të strukturuar kriminal nga zona e Fushë-Krujës, i njohur si grupi i “Rrajave”, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Në qendër të hetimit ndodhet edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili rezulton i përfshirë në disa episode kriminale të dokumentuara nga organi i akuzës.

Një nga episodet më të rënda lidhet me trafikimin e 475 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës. Sipas hetimeve, droga u nis e fshehur në një ngarkesë bananesh dhe u sekuestrua më 23 nëntor 2020 në portin e Vlissingen. Sasia e kokainës, sipas vlerësimeve, kishte një vlerë tregu rreth 23 milionë euro.

Prova kyçe në këtë dosje janë përgjimet e platformës së koduar SkyECC, ku anëtarët e grupit komunikojnë hapur për organizimin, pagesat dhe konfliktet e brendshme që lidhen me ngarkesën e drogës. Në një seri bisedash të zhvilluara në nëntor 2020, Ervis Shuli komunikon me Përparim Rrajën, kushëririn e Rexhep Rrajës, duke dhënë detaje për një konflikt me një person nga Fushë-Kruja që nuk kishte shlyer pagesën për 10 kilogramë kokainë, pjesë e ngarkesës së sekuestruar.

Në këto komunikime përmendet drejtpërdrejt edhe “djali i deputetit”, me pretendimin se personi që nuk kishte paguar kishte deklaruar se ishte takuar me Përparim Rrajën dhe me të, duke hedhur dyshime për përfshirje dhe ndërhyrje në prapaskenë. Mesazhet përmbajnë gjithashtu referenca për dërgimin e fotove të ngarkesës me drogë, si dhe ankesa për humbje financiare që shkojnë në dhjetëra mijëra euro.

Përgjimet zbulojnë jo vetëm mënyrën se si funksiononte rrjeti i trafikut, por edhe tensionet mes anëtarëve të grupit pas sekuestrimit të drogës, duke nxjerrë në pah rolet, lidhjet familjare dhe ndikimin e emrave të njohur në këtë aktivitet kriminal.

Hetimet vijojnë, ndërsa kjo dosje konsiderohet një nga më të rëndat për trafikun ndërkombëtar të drogës, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si grupet kriminale shqiptare kanë operuar në bashkëpunim me rrjete jashtë vendit dhe duke përdorur komunikime të enkriptuara për të shmangur drejtësinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related