Autoritetet e Paraguait kanë ngritur alarmin për tentativat e shtrirjes së të ashtuquajturës “Mafia Ballkanike” në Amerikën Latine, ku pjesë e saj dyshohet se janë edhe grupe kriminale shqiptare. Sipas autoriteteve vendase, disa anëtarë të kësaj mafie kanë tentuar të hyjnë në territorin e Paraguait duke përdorur pasaporta argjentinase, me qëllim shmangien e kontrolleve kufitare.
Drejtori i Migracionit të Paraguait, Jorge Kronawetter, deklaroi për mediat vendase se rastet janë zbuluar gjatë kontrolleve në kufirin me Bolivinë, ku persona të dyshuar si pjesë e Mafias Ballkanike u identifikuan me dokumente të huaja. Ai theksoi se një prej tyre, i shpallur në kërkim në Brazil, ishte kapur duke tentuar të hynte në Bolivi me pasaportë bullgare.
Sipas Kronawetter, këto grupe kriminale zakonisht nisin aktivitetin me vepra të vogla penale, si vjedhje apo mashtrime, përpara se të përfshihen në krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës. Një tjetër element shqetësues, sipas tij, është përdorimi i statusit të refugjatit për t’u vendosur dhe konsoliduar në vende të ndryshme.
Mediat paraguajane, përfshirë La Política Online, lidhin këto zhvillime me rrjetin kriminal të drejtuar nga Franc Çopja, i arrestuar në Belgjikë në gusht të vitit 2025. Pas arrestimit të tij, hetimet zbuluan një nga organizatat kriminale shqiptare më të fuqishme, e akuzuar për trafikimin e rreth 28 tonëve kokainë vetëm gjatë vitit 2020.
Sipas hetuesve ndërkombëtarë, rrjeti i Çopjas përdorte Paraguain si pikë kyçe tranziti, duke transportuar kokainën drejt porteve evropiane si Antverpi në Belgjikë dhe Hamburgu në Gjermani. Lidhjet e tij me Paraguain ishin të drejtpërdrejta, pasi ai e vizitonte shpesh vendin për të finalizuar blerje të mëdha droge nga fraksione kriminale në rajon.
Baza operative e këtij rrjeti në Paraguai, sipas burimeve hetimore, drejtohej nga vëllezërit Ervis dhe Ardian Çela, të cilët jetonin në vend dhe ishin përgjegjës për marrjen e kokainës nga prodhuesit bolivianë, ruajtjen dhe përgatitjen e saj për transport ndërkombëtar.
Droga fshihej në mënyra të sofistikuara brenda kontejnerëve të transportit, të maskuar si mallra të ligjshme, si kuti sapuni, kanaçe boje apo materiale ndërtimi. Një rol kyç në këtë skemë luante biznesmeni Diego Benítez, i cili përmes kompanisë së tij Tupá SA ndihmonte në transportimin e lëndës narkotike. Më pas, dërgesat kalonin nëpër Brazil, për t’u nisur drejt Evropës.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Franc Çopja dyshohet të ketë pasur takime me persona nga rrethi i ngushtë i të arratisurit Sebastián Marset, në fermën “23 de Abril” në San Roque González. Sekuestrimi i një sasie të madhe droge në Hamburg u konsiderua pikë kthese dhe çoi në nisjen e operacionit të gjerë “A Ultranza Py”.
Për menaxhimin e fitimeve milionëshe, organizata përdorte mekanizma të sofistikuar pastrimi parash, përfshirë edhe sistemin informal të transferimit financiar të njohur si hawala, duke e bërë rrjetin një nga më të strukturuarit dhe më të rrezikshmit në rajon.
