Berisha: Balluku as nuk shkarkohet, as nuk jep dorëheqjen! Në kohën tonë zyrtarët largoheshin pa pritur hetime

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer sërish te çështja e Belinda Ballukut, e pezulluar si zv/kryeministre dhe ministre, për të cilën opozita e akuzon për afera korruptive që lidhen me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.

Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri krahasime me periudhën kur ai drejtonte qeverinë, duke theksuar se standardet e përgjegjshmërisë politike atëherë kanë qenë krejtësisht të ndryshme nga ato që aplikohen sot nga qeveria e Edi Ramës.

Sipas Berishës, në vitin 2011, Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti i zv/kryeministrit, edhe pse ndaj tij ishte publikuar një video e montuar dhe pa ekzistuar ende një kërkesë zyrtare për hetim nga Prokuroria. Ai theksoi se Meta jo vetëm u largua nga funksioni, por hoqi dorë edhe nga imuniteti, duke iu nënshtruar hetimeve.

Berisha kujtoi gjithashtu se edhe zyrtarë të tjerë të lartë gjatë qeverisjes së tij kanë vepruar njësoj. Sipas tij, Fatmir Mediu ka dhënë dorëheqjen dhe ka hequr imunitetin, ndërsa Lulzim Basha ka dorëzuar mandatin, pa u imponuar nga presioni institucional apo ligjor.

“Në fillim të janarit 2011, pas publikimit të një videoje të manipuluar që e akuzonte në mënyrë të rreme Ilir Metën për ryshfet, ai dha dorëheqjen nga posti i zv/kryeministrit dhe hoqi dorë nga imuniteti, pa ardhur ende kërkesa nga Prokuroria. Në atë kohë, prokurore ishte Ina Rama. Edhe para tij, Fatmir Mediu dha dorëheqjen dhe hoqi imunitetin, ndërsa Lulzim Basha dorëzoi mandatin”, deklaroi Berisha.

Në kontrast me këto raste, kreu i PD-së akuzoi qeverinë aktuale se po mbron Belinda Ballukun, pavarësisht akuzave të rënda ndaj saj.

“Ndërsa sot, Balluku as nuk jep dorëheqjen dhe as nuk shkarkohet. Kjo tregon standardin e dyfishtë dhe mbrojtjen politike që i bëhet aferave korruptive”, u shpreh Berisha, duke shtuar se në kohën e tij largimi nga detyra ishte një akt normal përgjegjësie politike.

Deklaratat e Berishës vijnë në vijim të akuzave të opozitës ndaj qeverisë për mungesë transparence dhe përgjegjshmërie, si dhe për mbrojtje të zyrtarëve të lartë të përfshirë në skandale financiare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related