Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hedhur poshtë kërkesën e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, për modifikimin apo uljen e dënimit me burgim prej tre vitesh.
Në një njoftim zyrtar, Gjykata Speciale bëri të ditur se kryetarja Ekaterina Trendafilova, më 11 dhjetor, vendosi që dënimi i Shalës të mos ulet, pavarësisht se ai ka vuajtur dy të tretat e dënimit. Vendimi u mor pas konsultimit me trupin gjykues që kishte dhënë vendimin fillestar.
Haxhi Shala u dënua në shkurt 2025 me tre vjet burgim dhe një gjobë prej 400 eurosh, pasi pranoi fajësinë për pengim të drejtësisë. Sipas arsyetimit të gjykatës, kërkesa për modifikim u refuzua pasi Shala nuk ka shfaqur keqardhje të mjaftueshme për veprën penale, një kriter kyç për shqyrtimin e lehtësimit të dënimit.
Megjithatë, Trendafilova bëri të ditur se çështja e modifikimit të dënimit mund të rishqyrtohet në shkurt, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.
Shala ndodhet në paraburgim në Holandë që prej 11 dhjetorit 2023, çka do të thotë se atij i ka mbetur edhe rreth një vit për të përfunduar vuajtjen e plotë të dënimit.
Ish-eprori i UÇK-së u dënua së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, të cilët morën nga dy vjet burgim secili. Të tre kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 10 korrik 2023, Shala, Januzi dhe Bahtijari, në periudhën 5–12 prill 2023, kanë kontaktuar një dëshmitar dhe i kanë kërkuar tërheqjen e dëshmisë, duke i ofruar përfitime në këmbim. Prokuroria thekson se veprimet janë kryer në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Haxhi Shalës.
