Alarm emigracioni: Azili i shqiptarëve rritet ndjeshëm, tetori 2025 shënon kulmin e vitit

Data

Kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë njohur një rritje të dukshme në fund të vitit 2025, duke sinjalizuar një kthesë pas rënies së verës. Të dhënat zyrtare tregojnë se tetori ishte muaji me nivelin më të lartë të aplikimeve për azil gjatë gjithë vitit, duke reflektuar shqetësime të reja sociale dhe ekonomike.

Sipas statistikave, në tetor 2025 u regjistruan 505 kërkesa për azil, shifra më e lartë që nga janari i po atij viti. Për krahasim, në gusht kërkesat kishin rënë në vetëm 315, duke treguar një rritje të fortë në pak muaj.

Megjithatë, pavarësisht këtij kulmi mujor, bilanci 10-mujor i vitit 2025 mbetet në rënie. Nga janari deri në tetor, gjithsej 4 345 shtetas shqiptarë kërkuan azil në BE, një ulje prej 29.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Krahasuar me vitin 2022 – kur emigracioni pas pandemisë arriti kulmin me rreth 11 mijë kërkesa për 10 muaj – niveli aktual është më shumë se i përgjysmuar.

Franca vijon të jetë destinacioni më i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë, për shkak të politikave sociale, e ndjekur nga Gjermania. Por një prirje edhe më domethënëse po forcohet: ikja përmes lejeve të punës po zëvendëson azilin.

Të dhënat europiane tregojnë se vetëm në periudhën 2022–2024 janë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit për shqiptarët, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Gjermania – shumëfish më tepër se një dekadë më parë. Që nga viti 2021, BE ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Aktualisht, numri i shqiptarëve që largohen me leje pune është pothuajse dy herë më i lartë se ata që kërkojnë azil, duke treguar një ndryshim të qartë strategjie emigrimi.

Në një panoramë më të gjerë europiane, tetori 2025 shënoi mbi 62 mijë aplikantë të rinj për azil në BE, me një rritje mujore, por rënie të fortë krahasuar me vitin e kaluar. Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania mbajtën peshën kryesore të aplikimeve, ndërsa u regjistrua edhe një numër i lartë të miturish të pashoqëruar, kryesisht nga vende në krizë.

Sinjali është i qartë: azili po humbet terren, por emigracioni nuk ndalet. Ai thjesht po merr forma të reja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related