“Ishte super!” – Parker i entuziazmuar pas paraqitjes së Brojës: Kjo është versioni më i mirë i Armandos

Data

Trajneri i Bërnlit, Skot Parker, nuk i kurseu elozhet për Armando Brojën pas ndeshjes ndaj Njukasëllit, ku sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti për herë të parë titullar me fanellën e ekipit të ri.

Parker u pa të shkonte menjëherë drejt Brojës në momentin e zëvendësimit, një gjest që reflektoi vlerësimin dhe kënaqësinë për lojën e tij. Në konferencën e sotme për mediat, trajneri e konfirmoi këtë edhe me deklaratat e tij.

“Unë isha me të vërtetë i kënaqur me të. Mendoj se ishte versioni më i mirë që kemi parë nga Armando. Ai luajti ndeshjen e parë si titullar dhe ishte super,” tha Parker.

Trajneri evidentoi kontributin e Brojës si në lojën në 11 kundër 11, ashtu edhe në momentet kur skuadra mbeti me 10 lojtarë.

“Kur je një numër 9 dhe mbetesh i vetëm përpara, entuziazmi mund të bjerë, por ai e përballoi në mënyrë fantastike. Ishte platformë për ne, na dha energji dhe zgjidhje në çdo moment,” shtoi Parker.

I pyetur nëse aktivizimi i Brojës ishte zgjedhje taktike apo pjesë e rotacionit, Parker tha:

“Pak nga të dyja. Kemi kaluar një javë të ngarkuar dhe na duhej freski. Përballë një skuadre si Njukasëlli duhej të shfrytëzonim hapësirat pas mbrojtjes, dhe Armando është profili ideal për këtë. Funksionoi shumë mirë.”

Me këtë paraqitje dhe vlerësimin e trajnerit, Broja duket se ka fituar besimin e plotë të stafit teknik dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë titullar i rëndësishëm te Bërnli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related