Polonia po planifikon t’i dorëzojë Ukrainës pjesën e mbetur të aeroplanëve të saj luftarakë MiG-29 të epokës sovjetike, në këmbim të teknologjisë së avancuar të dronëve që Kievi zotëron. Lajmi u konfirmua nga Ministria polake e Mbrojtjes më 10 dhjetor.
Ministri Wladyslaw Kosiniak-Kamysz deklaroi në radion publike polake se avionët MiG-29 janë drejt fundit të ciklit të tyre të shërbimit, dhe se Polonia po i zëvendëson ata me mjete moderne perëndimore, përfshirë F-16, FA-50 dhe F-35 që pritet të mbërrijnë.
“MiG-ët do të dalin nga përdorimi dhe ne po diskutojmë transferimin e tyre tek pala ukrainase,” tha ministri, duke theksuar se marrëveshja mund të përfshijë edhe shkëmbim teknologjik në fushën e dronëve dhe raketave.
Polonia ka dërguar tashmë një pjesë të flotës së saj MiG-29 në Ukrainë pas pushtimit rus të vitit 2022, por ende zotëron rreth 14 të tillë. Sipas mediave polake, këto mjete mund të bëhen pjesë e një pakti të ri mbështetës për Kievin.
Kosiniak-Kamysz vuri në dukje se ekspertiza e Ukrainës në dronë është tashmë pjesë e programeve stërvitore polake: “Ukrainasit janë më të mirët në botë për sa i përket përdorimit të dronëve.”
Polonia, si anëtare e NATO-s dhe BE-së, mbetet ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës, duke shërbyer si pikë kyçe për furnizimet ushtarake dhe humanitare drejt Kievit.
