Një incident i rëndë është raportuar paraditen e sotme pranë kompleksit “Delijorgji” në Tiranë, ku një bombol gazi ka shpërthyer gjatë instalimit në një biznes të ri që pritej të hapej së shpejti.
Sipas informacioneve paraprake, pronari i biznesit po instalonte bombolën e gazit brenda ambienteve të mbyllura, kur një rrjedhje e papritur çoi në shpërthimin e flakëve. Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime në dorë.
Burimet bëjnë me dije se fatmirësisht nuk ka persona të tjerë të lënduar, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e zjarrfikëses dhe të emergjencave për të kontrolluar situatën dhe për të shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve.
Hetimet paraprake vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të rrjedhjes së gazit dhe nëse janë respektuar protokollet e sigurisë gjatë instalimit të pajisjeve.
