Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, duke e cilësuar rastin “unikal” dhe të paprecedentë në botën demokratike. Përmes një postimi në platformën X, Rama sfidoi publikun të gjejë një shembull tjetër ku një gjykatë e shkallës së parë ka pezulluar një anëtar qeverie.
Por reagimi i tij shihet nga kritikët si vijim i presionit politik ndaj Gjykatës Kushtetuese, institucion i cili pritet të shqyrtojë ankimimin e qeverisë për rastin Balluku. Sipas tyre, Rama shmang faktin se hetimet dhe masat ndaj zyrtarëve të lartë janë produkt i punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët kanë detyrimin ligjor të trajtojnë çështjet e korrupsionit pavarësisht funksionit publik të të pandehurve.
Rama: “Mbështes drejtësinë, por kur rrëshqet, prish balancat kushtetuese”
Në postimin e tij, Rama deklaron se ka qenë gjithmonë mbështetës i Reformës në Drejtësi, por sipas tij pezullimi i një ministreje nga GJKKO përbën ndërhyrje në ekzekutiv dhe cenim të balancës së pushteteve:
“Kur drejtësia rrëshqet kështu, cenon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn në procesin qeverisës.”
Kryeministri e krahasoi situatën me “rënien e një fëmije që sapo mëson të ecë”, duke e quajtur këtë vendim “risi botërore të drejtësisë shqiptare”.
Dy standardet e Ramës?
Kritikët vërejnë se Rama e mbron drejtësinë kur ajo heton opozitën, por e sheh si “shkelje kushtetuese” kur vendimet prekin njerëzit më të afërt të tij në qeveri. Në komentet publike theksohet se kjo qasje e dyfishtë vjen në një moment kur hetimet e SPAK janë vetëm një hap larg vetë kryeministrit.
Sipas tyre, nëse do të kishte moral politik, Rama duhet të kishte shkarkuar vetë Ballukun në vend që të nisë “taborin e sulmeve kundër gjyqësorit” përmes mediave që kontrollon.
Afera e Ballukut me vlerë 210 milionë euro
Belinda Balluku u pezullua pasi u mor e pandehur për:
- Tenderin 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë
- Tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe
SPAK thotë se fituesit e dy procedurave ishin paracaktuar, ndërsa ministrja ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë procesit të prokurimit.
Dosja e Ballukut ka mbërritur tashmë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të vendoset nëse pezullimi i saj do të mbetet në fuqi apo jo.
