Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën tradicionale të Krishtlindjes për personat në nevojë në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, duke ndarë momente solidariteti dhe ngrohtësie njerëzore në këtë ditë feste.
E pranishme në aktivitet ishte kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila theksoi se qendra funksionon si një familje e madhe për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje. Ajo përcolli edhe një mesazh urimi për festat e fundvitit, duke apeluar për më shumë solidaritet dhe ndihmë ndaj njëri-tjetrit.
“Sot është një ditë shumë e gëzuar dhe ndarja e ushqimit është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin, ashtu siç bëjmë në familjet tona. Kjo është një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ngrohtësi dhe ëmbëlsi”, u shpreh Ristani.
Ajo vlerësoi gjithashtu transformimin e zonës “5 Maji”, duke theksuar se tashmë është kthyer në një lagje të re ku banorët ndihen të respektuar dhe krenarë. Në fjalën e saj, Ristani theksoi se ndihma nuk është vetëm materiale, por edhe një fjalë e mirë apo prania njerëzore mund të bëjnë diferencën.
“Ndonjëherë një fjalë e mirë është më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Ajo që ka më shumë rëndësi është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë”, përfundoi ajo, duke uruar shëndet dhe mirësi për të gjithë.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë festive, duke përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe bashkimit që karakterizon festën e Krishtlindjes.
