Studentët në Serbi protestojnë kundër korrupsionit dhe kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad

Data

As të majtë, as të djathtë, as qytetarë, as nacionalistë.

Megjithëse lëvizja studentore kishte marrë qëndrim të mos shprehej për çështje që mund ta polarizonin shoqërinë në Serbi, protestat e mëdha njëvjeçare kundër Qeverisë janë karakterizuar me devijime nacionaliste dhe djathtiste.

“E djathta po përpiqet ta marrë patjetër nën kontroll protestën, por ajo nuk është aq e madhe. Vetëm është më e zhurmshme dhe më e organizuar”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) politologu Dushko Radosavljeviq.

Nga ana tjetër, protestat u shënuan edhe nga udhëtimi i studentëve drejt selisë së Bashkimit Evropian, bashkimi në një shoqëri të ndarë nga tensionet ndëretnike dhe mesazhi katartik i një pjesëmarrësi serb të luftërave në ish-Jugosllavi.

“Kam përshtypjen se shumica e studentëve janë këtu për një qëllim të vetëm: ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme”, tha për REL-in studenti i Fakultetit Filozofik në Novi Sad, Boris Kojçinoviq.

Të njëjtin mesazh e përcjellin edhe studentët nga Sanxhaku, në jugperëndim të Serbisë, zonë e banuar kryesisht me popullsi boshnjake.

Me mesazhin “Nuk do të na ndani”, ata ecin më shumë se 400 kilometra për ta shënuar përvjetorin e tragjedisë në Novi Sad.

Kërkesa kryesore e studentëve ka të bëjë me përgjegjësinë për vdekjen e 16 njerëzve pas shembjes së çatisë së rindërtuar në stacionin hekurudhor në atë qytet – ngjarje që, siç thonë ata, është pasojë e korrupsionit.

Të pakënaqur me reagimin e autoriteteve, gjashtë muaj më vonë, ata shtuan edhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

“Nacionalizëm apo patriotizëm i shëndetshëm?”

“Në një shoqëri ndarjesh ku jemi rritur të gjithë, shumë studentë nuk e perceptojnë siç duhet çfarë është patriotizmi i shëndetshëm, dhe për këtë arsye ndodhin disa devijime”, theksoi studenti i Fakultetit Filozofik në Novi Sad, Boris Kojçinoviq.

Këtu, sipas politologut Naim Leo Beshiri, shfaqen edhe sfidat me të cilat përballet lëvizja studentore, konformizmi dhe përpjekja për t’i joshur njëkohësisht si votuesit e majtë, ashtu edhe ata të djathtë.

“Nuk mund ta mundni pushtetin në temën e nacionalizmit, sepse ai është shumë përpara jush në këtë drejtim”, thotë Beshiri.

Edhe Parlamenti Evropian, në rezolutën e fundit për Serbinë, ka shprehur shqetësim për praninë e narrativëve nacionaliste “në disa pjesë të lëvizjes protestuese”.

Kush e “mbron” Kosovën në protesta?

Edhe pse studentët kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet që Qeveria deri tani refuzon t’i shpallë, përbërja dhe programi i listës së tyre ende nuk janë bërë publike.

Megjithatë, në muajin e shtatë të protestave, përveç kërkesave për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ata kanë shtuar edhe një qëndrim për Kosovën.

Ata janë shprehur për “respektimin e integritetit territorial, neutralitetin ushtarak dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe rajon”.

Para zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë, studentët e Fakultetit Juridik në Beograd organizuan një protestë ku kërkuan “përgjegjësi nga të gjithë ata që shkelin të drejtat e popullit serb”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related