Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një konferencë për media ka folur rreth dialogut Kosovë–Serbi. Stano tha se “mësimi i marrë nga ky proces është që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata”. Këto deklarime ai i bëri pasi u pyet nga gazetarët rreth rezultatit të dialogut të ndërmjetësuar nga emisari Miroslav Lajçak.“Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha Stano. Zëdhënësi i BE-së tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha ai, Lajçak ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare. “Nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano. Ai shtoi se emisari i BE-së po i vazhdon përpjekjet e tij, e ai po i kushton kohën dhe energjinë e tij me takimet që po zhvillon për të zgjidhur çështjen e fundit siç është dinari. Kujtojmë se Miroslav Lajçak është në fund të mandatit si emisar special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë–Serbi. Ai është caktuar si ambasador i BE-së në Zvicër.
BE i del në mbrojtje Lajçakut: Nuk ishte i pasuksesshëm, përparimi varet nga Beogradi dhe Prishtina
Data
