Mjeku dhe eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka deklaruar se gjendja e sigurisë ushqimore në Shqipëri, është jashtëzakonisht alarmante.
Referuar raportit të fundit lidhur me cilësinë e të ushqyerit nga ku Shqipëria ishte renditur si një nga vendet më keq të ushqyer, Dasho u shpreh se kur 1 në 3 qytetarë nuk kanë akses të sigurt në ushqim.
Dasho tha se nuk mund të flitet më për një problem të zakonshëm, por për një krim të mirëfilltë ndaj të drejtës më bazike të njeriut, të drejtës për ushqim.
Ai ngre shqetësimin se në një vend me pasuri natyrore të jashtëzakonshme si Shqipëria, kjo situatë është e pafalshme dhe shkon përtej çdo justifikimi, veçanërisht kur fëmijët janë më të rrezikuarit.
“Kjo është një mënyrë krejt realiste e të parit të këtij raporti. Ky është një problem jashtëzakonisht i rëndë. Madje nuk mund të klasifikohet tek problemet, këtë unë e kam quajtur krim në një status timin, sepse bëhej fjalë për të drejtën më themelore, të drejtën më bazë të njeriut. Bëhet fjalë për ushqyerjen. Kur mendohet se fëmijët kanë nevojë për ushqim të qëndrueshëm, cilësor madje, jo thjesht ushqim për të bërë të mundur zhvillimin e tyre, zhvillimin trupor, zhvillimin mendor, zhvillimin social dhe të mendosh se je në mes të Europës në një nga vendet që ka tokat më pjellore, burimet ujore më të garantuara, klimën më të përshtatshme, ç’mund të thuash pastaj për Spanjën që pothuajse po shkretohet.
