Milorad Dodik, të cilit më parë iu hoq mandati si president i Republikës Srpska, deklaroi se nuk do të pranojë vendimin gjyqësor dhe do të vazhdojë të mbajë funksionin, bazuar në vullnetin e popullit serb.
“Nuk do ta respektoj këtë vendim. Do të mbaj drejtimin që ma dha populli serb,” tha ai me vendosmëri në një postim në rrjetin social X. “Ju ishit arrogantë dhe prisnit që unë të isha i nënshtruar. Nuk do të jem.” Bëri të ditur se nuk do të zëvendësohet nga një autoritet i huaj dhe theksoi se ai mbetet president i Republikës Srpska.
Ai akuzoi autoritetet për mosrespektim të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, asaj të Republikës Srpska dhe ligjit, duke shtuar se secili do të vijojë sipas rrugës së tij. “Ju keni rrugën tuaj, ne do të kemi rrugën tonë. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen,” përfundoi ai me një frazë që përmban sfidë dhe paralajmërim.
Ky reagim vjen menjëherë pas vendimit të Dhomës së Apelit të Gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës, e cila hodhi poshtë ankesën e Dodikut kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për shkarkimin e tij. Si pasojë, Dodiku nuk mbahet më formalisht si President dhe janë paralajmëruar zgjedhje të parakohshme brenda 90 ditësh.
