Për ditë me radhë një re e madhe tymi përfshiu qytetin e Elbasanit. Në vendepozitimin e mbetjeve, pjesë e objektit të inceneratorit, flakë të mëdha shkrumbuan plehrat e grumbulluara prej muajsh, të supozuara që të diferencoheshin e një pjesë e tyre të digjeshin në incinerator.
Mbetjet e 7 bashkive të këtij qarku u dogjën, me ndryshimin e vetëm se asgjësimi i tyre nuk u bë përmes incenerimit, por djegies në qiell të hapur.
Faji sipas autoriteteve? Temperaturat e larta dhe gazi metan që çlirohej nga një pjesë e mbetjeve që kishin mbushur përtej kapacitetit landfillin e qytetit.
Për shuarjen e zjarrit u nisën helikopterë për të bërë ndërhyrje nga larg me qëllim shmangien e përhapjes së tij në thellësi të mbetjeve. Paralelisht u hodhën mijëra tonelata me dhe nga forcat zjarrfikëse, por flakët vazhduan përgjatë një jave kalendarike duke e bërë zonën përreth të pabanueshme, ndërsa qytetin të dëmshëm për banorët.
“Nuk ka dyshim që bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme sepse është një histori që përsëritet çdo vit, dhe nëse ka ndodhur aksidentalisht njëherë duhet të merreshin masa të ndaloheshin. Por shohim se sa herë që mbarojnë kapacitetet e landfillit ndodh zjarri,” – thotë Gentian Serjani, avokat.
