Një biznesmen italian ka humbur jetën në Tiranë vetëm pak ditë pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut në një spital privat. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procedurat mjekësore të ndjekura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet ndaj kirurgut dhe dietologes që e kishin ndjekur pacientin.
54-vjeçari Massimo Ferro kishte vendosur t’i nënshtrohej ndërhyrjes për t’i dhënë fund problemeve të obezitetit, pas vitesh dietash të pasuksesshme. Fillimisht ai ishte konsultuar në Itali, por i ishte sugjeruar që operacionin ta kryente në Shqipëri nga i njëjti kirurg, për shkak të kostos shumë më të ulët krahasuar me klinikat italiane.
Massimo mbërriti në Tiranë në fillim të dhjetorit dhe ndërhyrja kirurgjikale u krye më 18 dhjetor, me metodë laparoskopike. Sipas familjarëve, para operacionit nuk u respektuan protokollet e plota mjekësore që parashikohen për kirurgjinë e obezitetit, pavarësisht se pacienti vuante nga diabeti i tipit 2 dhe kishte një peshë trupore rreth 108 kilogramë. E vetmja këshillë e dhënë ishte që ai të ishte esëll një natë para operacionit.
Një ditë pas ndërhyrjes, Massimo kishte kontaktuar familjen duke thënë se gjithçka kishte shkuar mirë. Megjithatë, më 20 dhjetor gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej ndjeshëm, me shenja temperature të lartë, ethe, rritje të glicemisë dhe vështirësi në frymëmarrje. Ai u rikthye në klinikën private, ku gjatë natës situata u agravua edhe më tej.
Më 22 dhjetor, biznesmeni pësoi arrest kardiak brenda klinikës. Pas tentativave për reanimim, ai u transportua me urgjencë drejt QSUT-së, por fatkeqësisht ndërroi jetë disa orë më vonë.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe përgjegjësive mjekësore, ndërsa autoritetet italiane dhe shqiptare po kryejnë hetime për të përcaktuar nëse janë respektuar standardet e duhura të trajtimit dhe sigurisë për këtë lloj ndërhyrjeje.
