Në 80 vjetorin e lindjes, Prokuroria e Posaçme është kujdesur që t’i bëjë një dhuratë Sali Berishës që ka për ta mbajtur gjithë jetën. SPAK e bëri Berishën, pushtetarin e parë në rangun e ish-kryeministrave që përballet me drejtësinë në rrafshin penal. Pas një hetimi 4-vjeçar, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim 5 të pandehur, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe financierja Andia Pustina. Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë sot nëse kalon ose jo për gjykim.
Çfarë do të ndodhë sot?
Ditën e djeshme, dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai konkluduan mbylljen e hetimeve dhe dorëzuan dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Sipas informacioneve, ata kanë dorëzuar 333 fashikuj me prova dhe argumente, kundër Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Mlltezi, si dhe ndaj ndërtuesve Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe financieres Andia Pustina. Sot pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin paraprak, i cili do të vendosë nëse dosja është e plotë dhe përmbush kushtet për të kaluar për gjykim. Në short paraprak do të përfshihen 10 gjyqtarë dhe jashtë do të mbetet Irena Gjoka, e cila ka shqyrtuar prej tetorit 2023 masat e sigurisë ndaj të akuzuarve.
“Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe Shoqëria Kontakt sh.p.k.”, njofton GJKKO. Tashmë kjo është përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i hapur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese. Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksion që do të thotë do vijojnë hetimet për çështjen tjetër, atë të pasurisë së familjes së ish-kryeministrit non grata Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij, si me rastin e vendimeve të Berishës për marrjen e truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.
Sa vite burg rrezikon Berisha?
Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv. Berisha akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Ndërkohë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal. Në Kodin Penal parashikohet se këto vepra kanë dënimet më të larta në fushën e korrupsionit. Vepra e korrupsionit pasiv dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Pastrimi i parave me pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Pra, nëse konkretizohen akuzat dhe në fund Berisha shpallet fajtor, atëherë rrezikon maksimumi 12 vite burg.
