Një nga figurat më të shquara të ekranit italian, Pippo Baudo, është ndarë nga jeta sot në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme suksesi, pasioni dhe përkushtimi ndaj artit dhe publikut italian – dhe jo vetëm.
Për më shumë se gjashtë dekada, Baudo mbeti një figurë qendrore në botën e spektaklit, duke thyer rekorde dhe krijuar momente të paharrueshme për publikun. Ai mbahet mend veçanërisht për drejtimin e Festivalit të Sanremos plot 13 herë dhe për zbulimin e shumë talenteve të reja që më pas do të bëheshin emra të njohur.
Lindur më 7 qershor 1936 në Siçili, ai fillimisht ndoqi dëshirën e prindërve duke u diplomuar në Jurisprudencë, por pasioni i tij i vërtetë ishte skena. U ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1959 në konkursin muzikor “La conchiglia d’oro” në Palermo. Pas disa përpjekjesh dhe audicionesh, në herën e katërt arriti të sigurojë vendin e tij në botën e televizionit.
