Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të folur para mediave ka shkaktuar reagim të ashpër nga gazetarëtnë Kosovë.
Në një akt simbolik proteste, përfaqësues të mediave vendosën mikrofonat dhe kamerat e tyre në tokë, ndërsa Kurti po ecte drejt godinës së Qeverisë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj moskomunikimit të tij publik.
Ky reagim vjen pas disa ditësh mungese të përgjigjeve nga Kurti ndaj pyetjeve të gazetarëve, veçanërisht pas caktimit të seancës konstituive nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për datën 15 prill.
Situata politike ka mbetur e tensionuar në Kosovë, pasi procesi i konstituimit të Kuvendit të ri ka dështuar për herë të pestë me radhë.
Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, fitoi 48 mandate në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa përkrahje shtesë.
