Tenderë të manipuluar dhe pastrim parash: akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t dhe biznesmenit Ermal Beqiri, SPAK vendos masa sigurie edhe për zyrtarë të tjerë

Data

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku janë vendosur masa sigurie ndaj drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, biznesmenit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasit, si pjesë e një hetimi të gjerë për tendera publikë të dyshuar si të manipuluar.

Sipas burimeve pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cituara nga gazetarja Klodiana Lala, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest shtëpie” për Mirlinda Karçanajn, ndërsa për biznesmenin Ermal Beqiri është vendosur masa “arrest me burg”.

Po ashtu, masa sigurie janë dhënë edhe për disa zyrtarë të AKSHI-t, përfshirë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në procedurat e kontestuara.

SPAK ka hetuar për afro një vit 12 procedura tenderuese, të cilat dyshohet se janë zhvilluar në shkelje të ligjit, me kritere të paracaktuara dhe në favor të operatorëve të caktuar ekonomikë.

Sipas burimeve hetimore, personat nën masë sigurie, si dhe zyrtarë të tjerë për të cilët priten veprime të mëtejshme procedurale, akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e dyshuar, përfitimet financiare dhe përgjegjësitë individuale në një nga dosjet më të ndjeshme që lidhen me prokurimet publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related