Shigjeta e Zenonit dhe Shqipëria në BE

Data

Së fundmi në media e në debatin politik tek ne u debatua pozicioni koalicionit qeveritar mes partive CDU/CSU e SPD në Gjermani lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, Moldavi e Ukrainë. Ai kushtëzonte anëtarësimin e shteteve kandidate me ndryshimin e vendimmarrjes në Këshillin Europian (27 shtetet anëtare) duke kaluar nga unanimiteti për këto çështje, siç është aktualisht, në vendimmarrje me shumicë të cilësuar. Kjo klauzolë e përfshirë në reshtat 4405-4409 e programit të qeverisë Merz që pritet të miratohet së afërmi në Bundestagun gjerman u paraqit tek ne si zhvillim i ri që rrëzon premtimin elektoral të KM Rama se do të mbyllë negociatat mbas dy vjetësh dhe do të arrijë anëtarësimin në BE në vitin 2030. Por a është i ri ky kushtëzim dhe a e pengon ai anëtarësimin e Shqipërisë dhe kandidatëve të tjerë?

1. A kemi një kusht të ri?

Kushtëzimi “zgjerim mbas reformimit” nuk është element i ri i qeverisë të udhëhequr nga kristian-demokratët gjermanë. Qeveria në ikje e kancelarit socialdemokrat Scholz (2021-2025) gjithashtu e kishte shprehur qartë në programin e saj se reforma institucionale ishte kusht i domosdoshëm që BE të mund të funksiononte me më shumë anëtarë. Këtë qendrim kancelari Scholz e ilustroi qartë në “fjalimin europian që ai mbajti në Pragë në gusht 2022. E vetmja gjë e re nga Gjermania është se tashmë ky qendrim është i dy partive të mëdha gjermane pa të cilat nuk bëhet qeveria (AfD, partia tjetër aktualisht në treshen e parë, është parimisht kundra zgjerimit të BE). Pra të paktën në dekadën e ardhme pozicioni i Berlinit është i qartë.

Por ky kushtëzim nuk është vetëm i Gjermanisë por edhe i Francës. Në samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Sofje në maj 2018 pjesëmarrësit pro-zgjerim kishin shpresa për hapa thelbësorë përpara. Por presidenti francez Macron u a preu hovin duke deklaruar se edhe me 27 anëtarë BE po funksiononte keq e nuk mund të shtoheshin edhe një gjysmë-duzinë karrigesh në Këshillin Europian duke e paralizuar vendimmarrjen me lloj-lloj kundërshtimesh e vetosh vend e pa vend.
Këtë qendrim të Gjermanisë e të Francës, me gjasë e kanë edhe vënde të tjera si Hollanda, Danimarka, etj. Por sidoqoftë Gjermania e Franca tok janë aq të mëdha e influente sa që të bëjnë të pamundur pranimin e ndonjë shteti kandidat pa reformuar më parë vendimmarrjen në institucione si Këshilli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related