Protesta e pestë kundër projektit të investimit në Zvërnec është shoqëruar me thirrje të forta kundër figurave kryesore të politikës shqiptare. Gjatë marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, protestuesit kanë artikuluar slogane kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Mes brohorimave dhe pankartave, pjesëmarrësit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës, ndërsa në kor janë dëgjuar edhe thirrje për burgosjen e tij dhe të ish-kryeministrit Berisha, duke shprehur pakënaqësinë ndaj të gjithë klasës politike.
Protestuesit kanë theksuar se kundërshtimi i tyre nuk lidhet vetëm me projektin në Zvërnec, por edhe me mënyrën se si, sipas tyre, janë administruar interesat publike ndër vite. Marshimi ka vijuar përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës nën masa të shtuara sigurie.
Tubimet kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë tashmë në ditën e pestë, ndërsa organizatorët paralajmërojnë vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
