Gjykata e Posaçme (GJKKO) shpalli dje vendimin për Inceneratorin e Tiranës duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 3 vite burg nga 4 që kërkoi Prokuroria e Posaçme. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi i zbret në 2 vite, kohë që do të konsiderohet e shlyer me qëndrimin në paraburgim. Ish ministri Koka, sipas vendimit, do duhet të rrijë 5 vite larg funksioneve publike. Megjithatë, Lefter Kokës i duhet të qëndrojë në qeli, për shkak të një tjetër dënimi dhënë ndaj tij. Kokës i rëndojnë 6.8 vite burg për inceneratorin e Elbasanit ndërsa po rigjykohet edhe për atë të Fierit. Për inceneratorin e Tiranës, gjykata shpalli fajtorë edhe 6 të pandehur të tjerë, të cilët gjithashtu duhet të qëndrojnë 5 vite jashtë funksioneve publike. Me nga 3 vite burg u dënuan 4 ish-anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit, Bledar Karoli, Fatjon Murati, Taulant Tushe, Namik Simixhiu, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi ulet në 2 vite.
Ashtu si Lefter Koka, edhe në rastin e tyre ky dënim është shlyer me kohën e paraburgimit, përveç Fatjon Muratit, i cili vijon në arrati. Taulant Tushes i duhet të të vijojë të qëndrojë në qeli për shkak se ka masë sigurie arrest me burg në një tjetër dosje, “5D”. Nga të gjithë të pandehurit i vetmi që fiton lirinë menjëherë pas vendimit është Bledar Karoli. Ai e ka shlyer dënimin e dhënë nga gjykata me kohën e paraburgimit dhe ndaj tij nuk ka asnjë çështje tjetër të hapur që mund ta mbajë në qeli. Namik Simixhit nga ana tjetër, i ka mbetur edhe një muaj nga dënimi. Drejtoresha juridike, Valbona Ballgjini u dënua me 2 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove. Ndërkohë, ish-anëtarja e komisionit, Sidita Kopliku u dënua me 1 vit e 6 muaj burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i konvertohet në punë në të mirë publike. Të dyja nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione publike për 5 vite. Vetëm njëri prej të pandehurve, Jetmir Llapaj, ish punonjës në QKB u shpall i pafajshëm pasi nuk vërtetohet që ka kryer vepër penale. Gjatë seancave të pandehurit dhe avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi duke i konsideruar të pabaza pretendimet e prokurorisë. SPAK pritet ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
