Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, bashkë me kandidatët Nevila Nika dhe Azgan Haklaj, zhvilluan takime pasditen e djeshme me qytetarë dhe biznese në zonën e Kombinatit në Tiranë. Gjatë bisedave me ta, Basha dëgjoi nga afër shqetësimet dhe problemet me të cilat përballen banorët dhe theksoi se prioriteti kryesor i Koalicionit Euroatlantik është lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut. Ai theksoi se vetëm përmes mbështetjes së plotë për SPAK-un dhe përfundimit me sukses të betejës kundër korrupsionit, mund të sigurohen fondet dhe burimet për të ndërtuar politika që ndihmojnë shtresat në nevojë, si pensionistët, të rinjtë, sipërmarrësit dhe fermerët.
“Nuk ka rëndësi asnjë premtim tjetër që bën Foltorja me shokë, në qoftë se ti nuk lufton korrupsionin. Në qoftë se ti lufton SPAK-un dhe mbështet të korruptuarit, asgjë ska për të ndryshuar më keq do bëhet. Prandaj parakush është mbështetja ndaj SPAK-ut, çuarja deri në fund e luftës kundër korrupsionit. Vetëm kjo i çliron fondet për të bërë pastaj politika për të mbështet pensionistët, për të mbështet të rinjtë, për të mbështet sipërmarrjen, për të mbështet fermerët, për të mbështet zhvillimin ekonomik në tërësi, për të ulë taksat, vetëm kjo politik. E para dhe kryesorja, e panegociueshme, t’i shkojmë deri në fund luftës kundër korrupsionit” – tha Basha. Ai gjithashtu tha se më 11 maj qytetarët do të kenë përpara një zgjedhje të qartë: o me familjet e tyre, o me shokët e Ramës tek 7×7=313, pasi sipas tij, paratë nuk mund të jenë në të dy vendet njëkohësisht, në xhepat e të korruptuarve dhe në xhepat e qytetarëve.
