Jashtë sesionit parlamentar/ Kuvendi mblidhet sot për mandatin e Xhaçkës

Data

Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet sot për të diskutuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Vendimi u mor nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesave të opozitës.

Në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.

Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.

Deputetët e opozitës e cilësojnë si të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë, që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

  • Bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi shpallet ‘investitor strategjik’

Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.

Sipas këtij vendimi, kompanisë  ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.

Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related