Uashingtoni i zakonshëm shpesh është shqetësuar për ballafaqimet mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, presidentit Vladimir Putin.
Udhëheqësi amerikan ka shfaqur njëfarë lloj afrie me liderin autoritar të Kremlinit, duke i lënë gojëhapur kritikët dhe madje edhe aleatët, shumë prej të cilëve pyesin veten nëse ish-koloneli i KGB-së mund t’i përdorë lajkatimin dhe mënyra e tjera për t’i zgjidhur çështjet sipas dëshirës së tij.
Tani, derisa Trumpi po përgatitet të bisedojë me Putinin përmes një telefonate vendimtare më 18 mars për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, bota po pret të shohë nëse ai do qëndrojë i palëkundur dhe do të kërkojë armëpushim të përkohshëm pakushte, apo do t’i pranojë disa prej kushteve të rusëve.
Për Ukrainën, shumë gjëra janë në teh, përfshirë integritetin e saj territorial.
“Është e rëndësishme që presidenti Trump të qëndrojë i palëkundur dhe të ngulë këmbë në një armëpushim të pastër. Dhe, nëse rusët nuk pranojnë, ai duhet të jetë i gatshëm t’i përmbushë premtimet që ka bërë për ta rritur trysninë ndaj Moskës”, tha për Radion Evropa e Lirë John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit Rus në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
