Shëndetësia, mbrojtja sociale dhe arsimi “në mëshirë të fatit”

Data

Shpërndarja e shpenzimeve në projektbuxhetin e vitit 2026 tregon një zhvendosje të qartë të prioriteteve drejt funksioneve publike, rendit dhe sigurisë, ndërsa politikat sociale, arsimi dhe shëndetësia mbeten në plan të dytë ose shfaqin rënie të lehtë në peshën buxhetore.

Sipas të dhënave zyrtare, fondi për shërbimet e përgjithshme publike arrin në 68.5 miliardë lekë, duke zënë 7.7% të shpenzimeve totale, nga 7% që ishte në vitin 2025. Kjo rritje lidhet kryesisht me shtimin e shpenzimeve për administratën dhe menaxhimin e politikave publike.

Një rritje e ndjeshme vihet re edhe te mbrojtja, e cila për vitin 2026 parashikohet në 43 miliardë lekë ose 4.9% të shpenzimeve buxhetore, nga 4.5% një vit më parë. Kjo reflekton angazhimet për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO.

Edhe rendi dhe siguria publike përfitojnë më shumë fonde, me 55.8 miliardë lekë ose 6.3% të totalit, nga 6.1% në vitin 2025.

Në të kundërt, arsimi dhe shëndetësia shfaqin tendencë stanjacioni ose rënie të lehtë. Arsimi financohet me rreth 70 miliardë lekë, duke zënë 8% të buxhetit, nga 8.1% një vit më parë. Ndërkohë, shëndetësia ruan të njëjtën peshë relative prej 9.2%, pa rritje domethënëse përballë nevojave në rritje të sistemit shëndetësor.

Mbrojtja sociale, që përfshin pensionet dhe ndihmën ekonomike, mbetet zëri më i madh i shpenzimeve me 27.3% të buxhetit për 2026, por me një ulje prej 0.4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2025, pavarësisht rritjes nominale të fondeve.

Shpenzimet e tjera të paklasifikuara, ku përfshihen interesat e borxhit dhe fondet kontigjente, parashikohen në 194 miliardë lekë ose 21.9% të totalit, nga 22.6% që ishin këtë vit.

Ndërkohë, mbrojtja e mjedisit dhe kultura mbeten në fund të listës së prioriteteve. Mjedisi përfiton vetëm 0.2% të buxhetit total, një nivel simbolik dhe shumë më i ulët se mesatarja europiane, e cila varion nga 1.5% deri në 3%.

Po ashtu, fondet për kulturën, argëtimin dhe çështjet fetare zënë vetëm 0.8% të buxhetit, dukshëm më pak se në vendet e Bashkimit Europian, ku ky zë zakonisht arrin rreth 2%. Kjo tregon se kultura dhe trashëgimia kulturore, pavarësisht rolit të tyre në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë kreative, nuk trajtohen ende si sektorë strategjikë.

Në tërësi, projektbuxheti 2026 reflekton një orientim më të fortë drejt sigurisë dhe administratës, ndërsa arsimi, shëndetësia dhe politikat sociale mbeten të ekspozuara ndaj kufizimeve buxhetore, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet afatgjata të zhvillimit të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related