Në ekran mesditën e 11 marsit, kryetari i Bashkisë së Tiranës shfaqej i qetë dhe i buzëqeshur, ndërsa përuronte ndërtimin e një kopshti në lagjen Yzberisht të Tiranës. Kamera e ndiqte Erion Veliajn në çdo gjest, ndërsa inspektonte mjediset e kopshtit, bënte pyetje për përrallat që mësonin fëmijët dhe dëgjonte me vëmendje stafin e kuzhinierëve, teksa krenohej për zëvendësimin e margarinës me vajin e ullirit.
Kjo video e kuruar në çdo detaj nga zyra e shtypit e Bashkisë, synonte të shfaqte një lider politik në krye të detyrës. Por ndërsa televizionet e transmetonin kronikën e parapërgatitur me logon ‘live’, titrat njoftuan arrestimin e Veliajt me urdhër të SPAK. Në fotot e publikuara më vonë nga momenti i shoqërimit, Veliaj shfaqet i ngrysur dhe me fytyrë të tendosur, ndërsa dy agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit e përcjellin drejt një makine të zezë me një dosje në dorë.
Videoja e përurimit të kopshit ‘Luleborë’ në Yzberisht nuk është rasti i parë ku Erion Veliaj apo zyrtarë të tjerë të mazhorancës, shfaqen në materiale filmike propagandistike, të cilat i shiten publikut nga media si kronika lajmesh, duke sfiduar etikën dhe profesionalizimin në gazetari. Një monitorim i kryer nga BIRN gjatë muajve Janar- Shkurt 2025 zbuloi se dhjetra materiale të parapërgatitura nga zyrat e shtypit pranë institucioneve kryesore ne vend, u transmetuan nga mediat kryesore audiovizive pa ndërhyrje editoriale.
