Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket se ishte paralajmëruar që një vit më parë. Kështu pretendon “Ora Neës”, e cila ka realizuar një investigim të thelluar mbi pazaret mes deputetes Klotilda Bushka dhe ish-kryetares së KLGJ, Naureida Llagami. Sipas këtij hetimi, lidhjet e ngushta mes Bushkës dhe çiftit Veliaj-Xoxa kanë zbuluar se ata kanë pasur ndikim të fuqishëm në sistemin e drejtësisë. Investigimi ka hedhur dritë mbi marrëveshjet dhe manipulimet që lidhen me emërimet në pozita të larta, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese. Bisedat e zbuluara, të cilat janë siguruar përmes aplikacionit “Signal”, tregojnë se Bushka ka gënjyer Llagamin për t’i siguruar postin, duke i bërë premtime të pambajtura. Disa prej këtyre bisedave kanë dalë në dritë muajt e fundit, ku Llagami, e zhgënjyer nga premtimet e Bushkës, ka shprehur dyshime se është mashtruar. Një detaj tjetër i rëndësishëm është se, siç është thënë nga burime të afërta me hetimet, arrestimi i Veliaj ka qenë një çështje kohe, një temë që ishte parashikuar dhe diskutuar mes grupeve të larta politike dhe atyre të drejtësisë që prej vitit të kaluar.
Pjesë nga investigimi i “Ora Neës”
Konkretisht javët e fundit “Ora Neës” ka sjellë në vëmendjen e publikut lidhjet e deputetes së Partisë Socialiste Klotilda Bushka, njëherësh dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, me çiftin Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, dhe veçanërisht me këtë të fundit. Madje Bushka është thirrur edhe nga SPAK-u për të dëshmuar mbi hetimet e çiftit Veliaj-Xoxa dhe rolin e saj, ku prokurorët e posaçëm kanë dyshime të forta se ajo ka ndikuar në këto hetime përmes intimidimit të dëshmitarëve dhe helmimit të provave. Publikisht Bushka nuk e ka mohuar lidhjen e fortë me Ajola Xoxën, por po ashtu ajo është shfaqur në takime private me përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, siç është dhe ish-kryetarja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Naureida Llagami, apo dhe kreun e ILD-së Artur Metani. Qëndrimi me të tillë persona në takime private në parim për shkak të ndarjes së pushtetit nuk mund të ndodhë, por mes Bushkës dhe Llagamit kemi parë që takimet janë zhvilluar herë në zyrën juridike të Ajola Xoxës, e herë në ambientet e restorantit tek “Shallvaret”, ku shfaqeshin duke ngrënë krudo, pirë verë dhe cigare puro madje. Por miqësia mes Bushkës dhe Llagamit duket se ka qenë një marrëdhënie e mirëfilltë interesash të përmbledhura me lajtmotivin: “Më jep, të të jap”.
