Emigrantët e qarkut të Kukësit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, janë kontribuesit kryesorë në ekonominë e zonës, por ata shfaqën interes të ulët për të votuar për shkak të problemeve me dokumentet dhe mungesës së besimit te politika lokale.
Një skulpturë tipografike është vendosur së fundmi në qendër të qytetit të Krumës, qendra administrative e bashkisë së Hasit. Skulptura paraqet një tekst në anglisht dhe një zemër, ku në barkushen e djathtë është flamuri shqiptar dhe në të majtën, flamuri i Mbretërisë Bashkuar. Skulptura është dëshmi e lidhjes mes bashkisë së vogël në Veri të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, ku ndodhet një numër i madh i diasporës nga Hasi.
Ishulli britanik është vendi i preferuar për emigrim i hasjanëve, kuksianëve dhe tropojanëve në vitet 1998-2000, ku për shkak të afërsisë me Kosovën asokohe në luftë, banorët e kësaj ane të kufirit gjetën mundësinë e një jete të re. Shumica e tyre përdorën identitetin si kosovar për t’i shpëtuar varfërisë. Dialekti i përafërt në të folur me atë të Kosovës u mundësoi atyre që me emra të rremë të fitojnë azilin në Britaninë e Madhe, kryesisht në Londër.
Ky brez emigrantësh janë integruar prej vitesh me jetën në Britani, duke punuar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Njëkohësisht këta emigrantët në Mbretërine e Bashkuar kanë përmirësuar ndjeshëm jetën ekonomike e sociale në Kukës, Has e Tropojë. Madje në bashkinë më të vogël të qarkut, ka prej vitesh bum ndërtimi të financuar me remitancat e tyre.
Një përfaqësues i Western Union, një prej kompanive që ofron transferta parash nga jashtë vendit i tha BIRN se vetëm përmes saj mbërrijnë miliona euro në vit.
