Avokati Kujtim Cakrani ka folur për herë të parë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me ish-presidentin Ilir Meta, duke konfirmuar se ky i fundit ka zgjedhur një përfaqësues të ri ligjor.
Në një intervistë televizive, Cakrani tha se marrëdhënia profesionale me Metën përfundoi pas seancës së fundit gjyqësore, ndërsa theksoi se ndarja mes tyre ishte e qetë dhe pa përplasje.
“Atë seancë u ndamë shumë ftohtë dhe nuk patëm më komunikim. Ishte një ndarje në heshtje. Meta vendosi të marrë një avokat tjetër dhe këtë e kisha menduar edhe unë. Ishim në të njëjtën linjë për këtë vendim,” u shpreh ai.
Cakrani shtoi se nuk ka dijeni se kush do të jetë avokati i ri i ish-presidentit, por vlerësoi punën e bërë gjatë periudhës kur e përfaqësoi.
“Kushdo që do ta marrë mbrojtjen, do ta gjejë bazamentin të ngritur. Mendoj se kam bërë një punë shumë të mirë dhe kjo është ajo që më mbetet peng. Kam punuar për të përmirësuar pozicionin mbrojtës të ish-presidentit,” deklaroi ai.
Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha tha se, sipas burimeve ende të pakonfirmuara, Meta pritet të përfaqësohet nga një ish-gjyqtar i shkarkuar gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting).
Me këtë ndryshim, Ilir Meta ka ndërruar dy avokatë gjatë procesit penal ndaj tij, pas Genc Gjokutajt dhe Kujtim Cakranit.
