Kryeministri Edi Rama konfirmoi investigimet që gazeta është marrë gjerësisht së fundmi me përdhosjen e ligjit të arsimit të lartë nga Rektori Ilirjan Mandro, i cili, me veprimet e tij, duke shkelur ligje, VKM apo akte të tjera nënligjore e ka futur këtë institucion në një paligjshmëri totale. Në një pjesë të mirë të investigimit tonë, disa probleme janë trajtuar edhe më thellësisht nga raporti i KLSH, të cilët kërkuan urgjentisht nga Ministri i Brendshëm shkarkimin e menjëhershëm të Mandros. Në takimin e zhvilluar dje në ambientet e ministrisë së Brendshme ku u prezantua anketimi për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, kreu i qeverisë u shpreh qartë se Akademia e Sigurisë ka shumë probleme. Rama paralajmëroi transformime dhe ndryshime të forta në këtë institucion. Rama tha se na duhet një Akademi Sigurie e nivelit europian që sot ende nuk e kemi.
“Te Akademia e Sigurisë na duhet të bëjmë ende më shumë sepse, për të pasur një Polici Shteti me mesataren e Bashkimit Europian në të gjitha aspektet sepse këto që trajton anketa janë aspektet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë më publikun por janë dhe një sërë aspektesh të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë por që e prekin drejtpërdrejtë interesin e publikut dhe na duhet një Akademi Sigurie e nivelit europian që sot ende nuk e kemi, që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të drejtësisë dhe të hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi se Policia e Shtetit e 2030 do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha ndër të tjera Edi Rama. Ky ishte një sinjal i qartë i Ramës se paligjshmëritë në këtë institucion pritet të marrin fund shumë shpejt.
