Në seancën e fundit të parlamentit që përfundoi dje në mesnatë, shumica socialiste miratoi aktin normativ që u jep pensionistëve bonusin në muajin shkurt që e përfitojnë mbi 700 mijë pensionistë. Bonusi do të jetë 5 dhe 10 mijë lekë në varësi nëse e kalon shumën prej 20 mijë lekësh pensioni që merrni. Gjithashtu u miratua edhe projektligji për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”.
Ai u prezantua nga ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, i cili tha se ky projektligj i hap rrugë njohjes automatike të periudhës së vjetërsisë në punë, për efekt pensioni të punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994. Nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, ish-kooperativat bujqësore apo ish-ndërmarrjet shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar ish-kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
