Rritja e çmimit të karburantit në vend po reflektohet drejtpërdrejt në transportin ndërqytetas, ku së fundmi është shënuar një tjetër rritje e tarifave në linjën Korçë–Tiranë.
Çmimi i biletës është rritur nga 7000 në 8000 lekë për një drejtim, ndërsa për vajtje-ardhje qytetarët duhet të paguajnë 16 mijë lekë.
Qytetarët shprehen se kjo rritje po e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostove të përditshme, duke theksuar se shtrenjtimi nuk po prek vetëm transportin, por edhe ushqimet dhe shërbimet bazë.
Kjo nuk është hera e parë që çmimet e biletave rriten, pasi edhe më parë transporti është ndikuar nga faktorë si problemet infrastrukturore në disa segmente rrugore.
Nga ana tjetër, operatorët e transportit e justifikojnë rritjen me koston në rritje të karburantit dhe shpenzimeve operative, duke theksuar se shërbimi është bërë më i kushtueshëm për t’u ofruar.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, shumë qytetarë mbeten të detyruar të udhëtojnë për arsye pune dhe nevoja të përditshme, në mungesë të alternativave të tjera.
