Kush janë tre institucionet shtetërore që kanë bashkëpunuar me mafien e kredive për të zhvatur qytetarët, Dhoma e…

Data

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka bërë një reagim të fortë ditën e djeshme ndaj institucioneve përgjegjëse shtetërore, duke përfshirë Kryeministrinë, Ministrinë e Drejtësisë, Bankën e Shqipërisë e me radhë, për heshtjen lidhur me skandalin e mikrokredive. Kjo Dhomë, ka ngritur shqetësimin e bandës së mikrokredive që në vitin 2020, por asnjë nga institucionet shtetërore nuk ju përgjigj shqetësimeve të saj, duke lënë mijëra qytetarë të vetëm përballë një grupi “përmbaruesish” që u morën gjithçka.

“Dhoma e Përmbarimit nuk reshti nga viti 2015 e në vazhdim ta denoncojë fenomenin e “Mashtrimit me kredi”, por shteti në gjithë zinxhirin e tij hierarkik bashkë me Bankën e Shqipërisë – hesht! Kjo është letra e pestë publike, në të pestin vit rresht, që ne e drejtojmë si thirrje publike. Në dhjetor 2020 denoncuam publikisht “Zhvatjen përmes kredisë” duke i bërë thirrje Kryeministrit të aktivizonte të gjitha instrumentet shtetërore për mbrojtjen e interesave të mijëra qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit financiar. I thirrëm ministrit të Drejtësisë të ndërmerrte veprime konkrete dhe të mos “flinte gjumë”, ndërsa mijëra qytetarë të mashtruar prisnin zgjidhje për hallin e tyre me sytë nga Ministria e Drejtësisë.

I thirrëm në të njëjtën ditë, prokurorisë që duhej, përveçse të zbardhte me themel këtë mashtrim publik, të ndërmerrte pa vonesë veprime efektive për të ndaluar maskaradën financiare që po vijonte intensivisht, megjithëse po hetohej e megjithëse ishte kohë pandemie. Thirrja e trefishtë nuk mori asnjë përgjigje! Në gusht 2021 u drejtuam një tjetër thirrje publike institucioneve përgjegjëse shtetërore, që ato të reagonin menjëherë dhe të merrnin masa për të mbrojtur qytetarët shqiptarë nga skema e mashtrimit, që po krijonte pasoja të rënda sociale. Asnjë përgjigje!

Skema e mashtrimit

Dhoma e Përmbarimit tregon se edhe pse denoncuan gjatë gjithë kësaj kohe , kjo skemë mashtrimi nuk po ndalohej nga askush. “Më 14 shkurt 2022 thirrëm më fort kur dërguam komunikatën me titull “Fatet e mijëra shqiptarëve mbyllur në kutinë postare nr. 7469 – Akuzë publike për lejimin e mashtrimit publik”. Me këtë thirrje publike ne “bërtitëm” pse kjo skemë mashtrimi nuk po ndalohej nga askush, pavarësisht demaskimeve mediatike, denoncimeve apo historive të dhimbshme të qindra qytetarëve, teksa mashtrimi po kthehej në “bumerang” për gjithë sistemin bankar në vend. Ne u bëmë thirrje bankave të lironin menjëherë llogaritë e mijëra qytetarëve të mashtruar dhe akuzuam publikisht Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për licencimin pa asnjë kriter ligjor të disa institucioneve financiare jobanka dhe për mosmbikëqyrjen totale të aktivitetit të tyre, në veçanti të Micro Credit Albania që kishte shkaktuar pasoja të rënda ndaj mijëra familjeve dhe qytetarëve shqiptarë.

Ne kërkuam që Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prokuroria dhe Policia e Shtetit të merrnin masa të menjëhershme dhe të ndalonin pa asnjë ditë vonesë pasojat e rënda sociale që po shkaktonte fenomeni i mbledhjes së borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit. Përsëri heshtje shtetërore – asnjë përgjigje! Madje mashtrimi publik në dy vitet e ardhshme do të shumëfishohej. Më 14 nëntor 2023 iu drejtuam përsëri mediave dhe institucioneve me komunikatën “Stop ankandeve mashtruese”. Kjo komunikatë u shoqërua me një evidencë të plotë provash. Mijëra ankande fiktive ishin afishuar në stendat e 61 bashkive të vendit. Skema e mashtrimit kishte funksionuar në mënyrë perfekte, pa u penguar nga askush: viktimave të “Mashtrimit me kredi” po u rrëmbeheshin pronat! Ne kërkuam që Kryeministri, ministri i Drejtësisë dhe Prokuroria e Shtetit të merrnin masa urgjente dhe të ndalonin pa asnjë ditë vonesë këtë mashtrim masiv me pronat e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related