Një stuhi e fuqishme e shkaktuar nga vorbulla polare ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke sjellë borë të dendur, akull dhe shira të rrëmbyeshëm në shumë shtete. Si pasojë, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 1 milion banesa kanë mbetur pa energji elektrike.
Autoritetet amerikane njoftojnë se rreth 157 milionë qytetarë janë vënë nën paralajmërim për temperatura ekstreme, nga veriu pranë kufirit me Kanadanë deri në jug, në Gjirin e Meksikës. Kushtet e rrezikshme kanë detyruar mbylljen e shkollave dhe rrugëve, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar.
Viktima nga stuhia janë raportuar në disa shtete, përfshirë Luizianën, Teksasin, Tenesin dhe Kansasin, me raste vdekjesh nga hipotermia. Reshjet e dëborës dhe akullit pritet të zgjasin për disa ditë, duke vështirësuar ndjeshëm përpjekjet për rikthimin e normalitetit.
Meteorologët shpjegojnë se vorbulla polare, një masë ajri shumë e ftohtë që zakonisht qëndron mbi Arktik, është zhvendosur drejt jugut, duke u përplasur me ajrin më të ngrohtë dhe duke krijuar kushte ekstreme moti. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet dhe të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë.
