Në Shqipëri, SPAK-u dha sot detaje mbi operacionin e një dite më parë ndaj organizatës kriminale, që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim. SPAK-u bën të ditur se organizata trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt BE-së, kishte lidhje me gjyqtarë, policë dhe gazetarë. Mes të dyshuarve janë edhe gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet të kenë marrë para nga Çela për qëndrimet e mbajtura në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre. Por gazetari Hoxha, i pyetur nga Zëri i Amerikës, mohoi kategorikisht akuzën, ndërsa thotë në reagimin e tij se kurrë nuk e ka përdorur profesionin në favor të krimit, politikës dhe biznesit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar detajoi sot në njoftimin publik se grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqëndruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës, ishte sipas SPAK-ut “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.
