Vota e lirë dhe mundësia reale për të zgjedhur janë themeli i një shteti demokratik, pasi u jep qytetarëve fuqinë për të ndikuar në drejtimin e vendit. Ajo shërben si një mjet presioni ndaj qeverisë, duke e detyruar të jetë e përgjegjshme, transparente dhe e orientuar drejt interesit publik.
Nëpërmjet votës, qytetarët mbajnë në kontroll pushtetin, duke ndëshkuar keqqeverisjen dhe duke shpërblyer politikat që përmirësojnë jetën e tyre.
Në Shqipëri, e drejta e votës duket se tashmë është e shtrembëruar. Partitë, sidomos ato që kanë pushtetin, kanë krijuar një rrjet kapilar që “numërojnë” votuesit dhe i mbajnë në kontroll, në presion apo në vëzhgim, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për t’i “bindur” ata.
Kthimi i mekanizmit të zgjedhjeve për së mbrapshti, duke i hequr fuqinë reale sovranit, është një tipar i nivelit të dobët të demokracisë, që ka karakterizuar vendin në këto dekada.
Ndaj nuk është çudi që fushatat e partive politike, më shumë i ngjajnë një procesi blerjeje të votave, me premtime për kthime të larta e të shpejta (njësoj si piramidat) sesa masave të qëndrueshme me rezultate afatgjata që të çojnë në fitimin e votës.
