Kur amerikanët të zgjedhin presidentin e ri, ajo/ai me më shumë vota mund të mos jetë fituese/i. Sistemi elektoral në SHBA jodemokratik?
Për një kohë të gjatë, SHBA-ja e shihte veten si një demokraci shembullore: Një vend ku kombet e tjera mund të kthenin sytë, kur ndërtonin demokracitë e tyre pas fitimit të pavarësisë ose largimit të regjimeve autoritare. Kjo manifestohet edhe në metaforën “city upon a hill”- “qytet mbi një kodër”. Politikanët nga John F. Kennedy e deri te Barack Obama i janë referuar SHBA-së si një fener i ndezur, ku drejtohen sytë e botës. Në vitin 1961, presidenti i zgjedhur Kennedy tha se bota shikon ende nga SHBA dhe demokracia e saj dhe se “qeveritë tona, në çdo drejtim, në çdo nivel, kombëtar, shtetëror dhe lokal, duhet të jenë si një qytet mbi një kodër”.
6 Janari 2021
Edhe më 6 Janar 2021, sytë e botës ishin drejtuar nga SHBA. Ishte dita, kur një turmë ekstremistësh të krahut të djathtë, të inkurajuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, sulmuan Kapitolin e SHBA në një përpjekje për të ndërprerë transferimin demokratik të pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020. Edhe në një sondazh të vitit 2023 nga agjencia e lajmeve Associated Press në bashkëpunim me Universitetin e Çikagos, vetëm 10% e pjesëmarrësve thanë se demokracia në SHBA po funksiononte jashtëzakonisht ose shumë mirë.
Pra, cila është gjendja e demokracisë amerikane sot para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024?
Kongresi amerikan nuk inspiron besimin tek demokracia
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se amerikanët nuk kanë shumë besim tani në institucionet qeveritare,” u shpreh për DW Michael Berkman, drejtor i Institutit McCourtney për Demokraci dhe profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. “Ata shikojnë një Kongres që nuk po funksionon aspak mirë dhe ndeshen me disa probleme mjaft të pazgjidhshme që qeveria nuk i ka trajtuar vërtet, si dhuna me armë dhe ndryshimi i klimës.”
Me paaftësinë e tyre për të zgjedhur një lider, shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve e paralizoi Kongresin për javë të tëra në tetor 2023. Por edhe pa ndërprerje si kjo, kalimi i ndonjë ligji tek të dy dhomat e Kongresit – Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit – shkon ngadalë për shkak të partishmërisë të rrënjosur thellë mes republikanëve dhe demokratëve.
Polarizim i ashpër
“Është jashtëzakonisht e vështirë, ndonjëherë e pamundur, të miratohet legjislacioni edhe kur shumica dërrmuese e publikut e mbështet një masë të caktuar,” kritikon Vanessa Williamson, bashkëpunëtore e lartë në studimet e qeverisjes në institutin amerikan Brookings. “Ka një mosfunksionim shumë serioz në Uashington”, u shpreh ajo për DW.
Polarizimi i ashpër, hendeku midis mbështetësve demokratë dhe republikanë, do të thotë se të paktën gjysma e vendit ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e pakënaqur me shumë vendime që merr qeveria e zgjedhur.
