Eksperti i ekonomisë Pano Soko e cilësoi bonusin e fundvitit për pensionistët një lëmoshë elektorale.
I ftuar në një studio televizive, Soko tha se ajo që shqetëson me të vërtetë pensionistët dhe të gjithë shoqërinë është mungesa e një politike të qëndrueshme për rritjen e pensioneve.
“Ky është thesi i miellit për zgjedhjet e 2025. Thesin e miellit e kanë marrë çdo vit elektoral. Çdo vit kemi një bonus të shtuar. Ajo që vërtetë e shqetëson shoqërinë, pensionistët, është kush është politika e qëndrueshme për politikën e rritjes së pensioneve.
Nuk shoh të ketë ndonjë projekt për të rritur pensionet, kjo është ajo që më shqetëson mua. Më shqetëson fakti që nuk e ka një plan kryeministri se kush do të jetë një politikë që do të hartojë me synimin final. Kush është qëllimi final? Dalja e pensionit përtej minimumit jetik.
Sa herë i jepet mundësia nuk merret me atë që do të bëjë, por me atë që ka ndodhur të shkuarën, fillon merret me statistikat. Por nuk kanë sens këto krahasime, sepse inflacioni ecën, teknologjia ecën, ekonomia ecën. Nuk bën dot krahasim në periudha afatgjata. Krahasimi ka vlerë vetëm vjet me sivjet. Kryeministri nuk merret më një projekt për të nxjerrë pensionistët, gjysma e të cilëve janë nën minimumin jetik.”
Soko tha se në 12 vite qeveria nuk i ka rritur asnjëherë pensionet, vetëm i ka indeksuar ato.
