Gjatë seancës parlamentare për projektbuxhetin e vitit 2025, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë socialiste për politikat e saj të dështuara ekonomike që kanë përkeqësuar jetën e shqiptarëve dhe kanë dobësuar ekonominë kombëtare. Në fjalën e saj, Tabaku u ndal në pesë çështje kryesore: pensionet, bujqësia, rrogat, rritja e çmimeve dhe modeli i dështuar ekonomik i qeverisë.
Tabaku theksoi se pensionistët, të cilët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, janë një nga shtresat më të goditura nga politikat e qeverisë socialiste. “Pensionet reale kanë pësuar një rënie prej 16% që nga viti 2014. Pensionistët sot detyrohen të shpenzojnë deri në 50% të të ardhurave të tyre për ushqime bazike, duke jetuar në kushte të vështira dhe me fuqi blerëse gjithnjë në rënie,” tha ajo. Tabaku kritikoi premtimet e pambajtura për përmirësimin e skemës së pensioneve dhe rritjen e përvitshme të tyre, duke theksuar se pensionistët janë lënë në harresë dhe vetëm përballë rritjes së kostove të jetesës.
Deputetja Tabaku vuri në dukje gjendjen e rëndë të sektorit të bujqësisë, i cili është një nga sektorët më të mëdhenj të punësimit në vend, por që nuk po mbështetet si duhet nga qeveria. Ajo theksoi se, ndonëse bujqësia punëson 34% të popullsisë, ajo përfaqëson vetëm 18% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), dhe kjo për shkak të mungesës së mbështetjes efektive dhe financiare nga shteti. “Rritja mesatare e bujqësisë është vetëm 0.05% që nga viti 2013. Kjo është një pasqyrë e qartë e dështimit të politikave qeveritare për të mbështetur sektorët kryesorë të ekonomisë sonë,” theksoi ajo.
Jorida Tabaku theksoi gjithashtu se pavarësisht deklaratave të qeverisë për një rritje ekonomike të konsiderueshme, rrogat reale të shqiptarëve nuk kanë reflektuar këtë progres. “Rritja e pagave ka qenë e papërfillshme krahasuar me rritjen e inflacionit dhe çmimeve. Ndërkohë që qeveria mburret me një rritje të GDP-së për frymë, shqiptarët përballen me paga që mezi mbulojnë nevojat bazike,” deklaroi Tabaku.
Tabaku kritikoi gjithashtu rritjen e çmimeve të produkteve bazike të ushqimit, që kanë rënduar ekonomitë familjare. Ajo tregoi se sipas INSTAT, çmimet e ushqimeve janë rritur me 55% që nga viti 2014, duke arritur nivelet më të larta në rajon. “Shqiptarët sot paguajnë çmime të krahasueshme me ato të vendeve të Bashkimit Europian, por me paga që janë shumë më të ulëta. Buka, mishi dhe bulmetrat janë bërë luks për shumë familje shqiptare,” tha ajo, duke theksuar se politika ekonomike e qeverisë nuk ka arritur të kontrollojë inflacionin dhe të ofrojë lehtësi për qytetarët.
