PD ka denoncuar dje se skema ‘5D’, ku drejtorë i japin vetes tenderë publikë po ndodh edhe në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku, atë të Infrastrukturës dhe Energjetikës. Sipas PD, kompania I.D.K KONSTRUKSION, në pronësi të të afërmve të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka marrë tender publikë afro 30 milionë euro dhe nënkontrakton kompaninë në pronësi të vetë Dalipit, duke e bërë atë përfituese të parave publike. PD paralajmëron kallëzim në SPAK, ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja në një deklaratë për mediat tha se ka dyshime që kjo kompani shërbente si një kompani guaskë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. “Partia Demokratike ka vendosur t’i përcjellë organeve të drejtësisë dhe SPAK një rast të ri të këtij modeli, atë të I.D.K KONSTRUKSION. Një kompani që ka përfituar në vitet e fundit mbi 30 milion euro tenderë publikë, ndërkohë që ka dyshime të arsyeshme se ajo shërbente si një kompani guaskë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Rikujtojmë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është prekur nga fenomeni i drejtorëve me biznese fiktive edhe në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtuesi i të cilit, Evis Berberi, shpallte fitues kompaninë “Net Group” dhe “DAAM”, kompani që zotëroheshin praktikisht nga ai vetë. Kompania që Partia Demokratike denoncon sot, I.D.K KONSTRUKSION është në pronësi të familjarëve të Administratorit të OSSH, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi. Ai rezulton gjithashtu pronar i kompanisë ABNID, e cila gjatë viteve të fundit, ka përfituar mbi 10 milion euro nën-kontraktime të drejtpërdrejta nga kompania I.D.K KONSTRUKSION. Përveç lidhjes familjare, dhe këtyre transfertave miliona euroshe nga tendera publikë, IDK dhe ABNID ndanin edhe punonjësit mes tyre. Në një rast, administratori i kompanisë ABNID, në pronësi të Drejtorit të OSSH, duket se ka punuar si një punëtor i thjeshtë krahu për kompaninë I.D.K KONSTRUKSION. Kjo është qartazi një rast tjetër i virusit 5D të Bashkisë Tiranë apo Net Group i ARRSH”, thuhet në denoncimin e PD.
