Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha ka njoftuar dje datën tjetër se kur do të jetë protesta, si pjesë e “mosbindjes civile” të nisur pas dënimit me burg të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, ndërsa ka shpërthyer në sulme të forta ndaj qeverisë. Duke folur në një konferencë për gazetarët online nga banesa ku qëndron i izoluar, Berisha zbuloi se protesta do të mbahet këtë të shtunën në orën 12:00 në Shkodër, aty ku dy ditë më parë qyteti u trondit nga një atentat i mirëorganizuar që i mori jetën 3 personave, ndërsa një u plagos rëndë. Mes viktimave është dhe Flutura Basha një qytetare e pafajshme, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur bashkëshorti i saj. “Unë sot jam këtu për të shprehur solidaritetin tim më të thellë me secilin qytetar të Shkodrës, ndaj të cilëve, Edi Rama përdor krimin, mafien më agresive për ti mposhtur, frikësuar ata, për të ua bërë qytetin e tyre të pajetueshëm.
Në shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës, ftoj të gjithë opozitarët kudo që janë, të shtunën në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytetar të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët. Në këtë protestë, mosbindje civile, ne i themi jo, dhunës së mafias së Edi Ramës. Kjo mosbindje civile do të duhej të thirrej në Tiranë, por dëshiroj tu shprehim nga afër të gjithë solidaritetin tonë, qytetarëve të Shkodrës për të cilët Edi Rama ka zgjedhur hanxharët e krimit me qëllim e vetëm që të mbledhin vota, sepse i doli fytyra se kush është në Durrës.
Shqiptarët e panë se votat e Edi Ramës ishin pazar me Avdylët, me Troplinët me Dervishët, me serial killër të Durrësit. Dhe tani pas këtij deskriditimi kërkon që votat ti sigurojë me Bajrët dhe bandat e tyre kriminale. Ndaj dhe ftoj të gjithë opozitaret dhe opozitarët, në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet, mbështetje qytetare për banorët e mrekullueshëm, për qytetarët fisnik të këtij qyteti”, deklaroi ai. Kujtojmë se Deri tani opozita ka mbajtur dy protesta të cilat i ka quajtur si pjesë e aksionit të saj të mosbindjes civile. Njëra më 7 tetor me hedhjen e molotovëve drejt institucioneve dhe selisë së PS-së e tjetra më 29 tetor me bllokimin e 6 rrethrrotullimeve në akset kryesore nacionale të vendit.
